Ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi vazhdon të mbetet në komë. Por gjendja e tij shëndetësore sipas zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë vazhdon të jetë më stabile. Rexhepi tash e disa javë është duke marrë trajtim shëndetësor në një spital të Turqisë.
Zëvendësministri në Ministrinë e Shëndetësisë, Rrustem Musa, të dielën për Express ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e ish kryeministrit Bajram Rexhepi është jashtë rrezikut për jetë.
“Gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë, mirëpo ai është jashtë rrezikut për jetën. Gjendja e tij është pak më stabile por vazhdon të jetë e rëndë”, ka thënë zv-ministri Rrustem Musa.
Ish kryeministri dhe ish ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka pësuar sulm në tru rreth një muaj më parë.
Ai për disa ditë ka qëndruar nën kujdesin intensiv në QKUK. Ambasada turke ka hequr shpenzimet për dërgimin e Rexhepit për shërim në Turqi.