Telegrafi

Bajqinovci flet për abstenimin e Konjufcës në lidhje me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias do të inkorporohen në leximin e dytë të Byrosë së konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Deputeti i LVV-së, ka theksuar se po ashtu edhe vërejtjet e opozitës do të adresohen. Sipas tij, kjo byro është një nga premtimet e partisë së tij sa ishte në opozitë apo në fushata zgjedhore.

Tutje Bajqinovci foli edhe për abstenimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Ai tha se ky veprim i Konjufcës ka ardhur për shkak se ai ishte garantues i inkorporimit të vërejtjeve apo rekomandimeve të Komisionit të Venecias në Byronë për konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Sipas Bajqinovcit, kryeparlamentari Konjufca, do të votoj pro kësaj nisme në lexim të dytë.

“Konjufca ka kërkuar që në komisionin e Venecias të dërgohet byroja e konfiskimit, në mënyrë që opozita të mos e ketë asnjë arsye që ta mos votojnë. Ai ka thënë se do ta votojë në leximin e dytë derisa të hyjnë të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias”, ka deklaruar ai.

Deputeti i LVV-së, Mefil Bajqinovci, foli edhe për abstenimin e deputetes Doarsa Kica Xhelili, e cila është pjesë e grupit parlamentar të LVV-së. Sipas Bajqinovcit edhe kjo deputete do ta ndërrojë mendimin në leximin e dytë kur pritet të votohet Byroja.

Ndërkaq, analisti Selim Selimi iu kundërpërgjigj atij me ironi duke thënë se “ajo e voton sepse LVV-ja, nuk e merr më në listë për deputete”.

Në fund Bajqinovci, u shpreh se kjo byro për konfiskimin e pasurisë së paligjshme nuk do të përdoret politikisht./RTV Dukagjini/