Ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily, përmes një video-deklarate ka uruar qytetarët dhe deputetët e Maqedonisë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, në pajtim me marrëveshjen me Greqinë.
Baily thotë se ky është vendim historik dhe se SHBA-të mbështesin Maqedoninë në zgjidhjen e kontestit me Greqinë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Sot Maqedonia arriti një vendim historik. Kuvendi juaj votoi ndryshimet kushtetuese në pajtim me Marrëveshjen e Prespës. SHBA-të përshëndesin vendimin e deputetëve. Kur procesi të përfundojë me ratifikimin e marrëveshjes në Greqi, kjo marrëveshje do ta zgjidh kontestin e emrit, i cili ka ndaluar qytetarët e Maqedonisë të realizojnë qëllimet e anëtarësimit në NATO dhe BE”.
“Uroj deputetët dhe liderët në Kuvend dhe Qeveri për vizionin e tyre dhe kurajon e tyre, për gjetjen e zgjidhjes dhe futjen e Maqedonisë në interesat e saj afatgjate. Padurim presim që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s dhe të vazhdojmë partneritetin tonë të fuqishëm me ju për të avancuar stabilitetin, sigurinë, dhe prosperitetin këtu dhe në tërë rajonin”, thotë Baily në urimin e tij.
Ndryshe, sot me 81 vota “për” deputetët e Kuvendit të Maqedonisë miratuan ndryshimet kushtetuese në Kuvend./Telegrafi/