Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se nuk do tërhiqet nga kërkesa e tij për të angazhuar mësimdhënës vullnetarë në komunën që ai drejton, nëse nuk ndërpritet greva e thirrur nga SBASHK-u.
Bahtiri, në “Dossier D“ me Fidan Ramën në RTV Dukagjini, ka thënë se mësimdhënësit janë përfshirë në politikë me grevën që po bëhet në arsim.
“Më së paku është dashur të ketë politikë në arsim”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Mitrovicës ka thënë se ai do të pret edhe këtë javë dhe nëse nuk ka ndërprerje të grevës nxënësit nuk do të mbesin jashtë shkollës.
“Ne do të presim edhe këtë javë, nëse nuk ka ndonjë zgjidhje do të mbaj premtimin e dhënë [angazhimin e mësuesve vullnetarë]. Nxënësit e Mitrovicës nuk do të mbesin jashtë bankave të shkollës. Unë mendoj se mbi 50 % e mësimdhënësve të Mitrovicës përkrahin kryetarin Agim Bahtiri”.
I pyetur nëse të hënën do të filloj mësimi me vullnetarë në Mitrovicë, Bahtiri ka konfirmuar këtë.
“Sigurisht se po”, deklaroi i bindur Bahtiri.
Ai ka thënë se edhe para luftës janë gjendur mësimdhënës që kanë kryer punë vullnetare në arsim.
“Ka shumë arsimtarë që nuk pajtohen më grevën. Jam i bindur që në këtë grevë ka dorë edhe politika”.
Bahtiri ka thënë se ai personalisht do të mbështeste vetëm grevën në administratën publike, pasi sipas tij ata bëjnë shumë punë për tetë orë dhe paguhen shumë pak./Telegrafi/