Telegrafi

Bahtiri: Qytetarët duan një Mitrovicë të bashkuar – të përkrahet në mënyrë institucionale e jo vetëm në foltore

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri mori pjesë sot në tubimin me qytetarë të Lëvizjes Vetëvendosje, nga ku iu bëri sërish thirrje institucioneve të Kosovës që të marrin parasysh vullnetin e qytetarëve të Mitrovicës, për bashkimin e saj.

Bahtiri po ashtu tha që nuk mjafton përkrahja e pushtetarëve nëpër foltore, mirëpo ata duhet të veprojnë në mënyrë institucionale.

“Qytetarët e kanë dhënë fjalën e tyre, ata e duan një Mitrovicë të bashkuar. Ata nëpër foltore më përkrahin por ato janë të pamjaftueshme, pasi duhet të veprojnë në mënyrë institucionale. Mitrovica është djep dhe hambar i krejt Kosovës”, ka thënë Bahtiri.

Ai po ashtu ‘kërcënoi’ institucionet e vendit që mos ta detyrojnë të marr një vendim të tretë, duke mos treguar se për çfarë vendimi bëhet fjalë.

“Ata që nuk e kthyen kryet nga Mitrovica, besoni që nuk do ta kenë as Kosovën. Pa Mitrovicë nuk ka vendime. Mitrovica e ka një kryetar, deri tash janë marr dy vendime mos të na detyrojnë që të marrim vendimin e tretë”, u shpreh kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. /Telegrafi/