Site icon Telegrafi

Bahtiri: Qeveria nuk ka guxim ta lëshojë urën e Ibrit në funksion (Video)

Agim Bahtiri, Debat Plus

Kryetari i Komunës së Mitrovicës njëkohësisht nënkryetar i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po ka guxim ta lëshojë në funksion urën mbi Ibër.

Bahtiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ai ka bërë kërkesa të vazhdueshme edhe ndaj Qeverisë Mustafa edhe Haradinaj për të zgjidhur çështjen e urës mbi lumin Ibër.

“Ura nuk është çështje e thjeshtë pasi plani serb ka qenë që Kosova të ndahet me lumin Ibër. Ura iu është instaluar serbëve në kokat e tyre që 20 vite se aty do të jetë kufiri shqiptaro – serb”.

Kryetari i Mitrovicës ka thënë se ka një vendim të nënshkruar në Bruksel për rregullimin dhe funksionalizimin e urës, por sipas tij, qeveritë tona nuk e kanë zbatuar atë vendim.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka guximin që atë urë ta lëshojë [në funksion]…Është një vendim që është nënshkruar në Bruksel për rregullimin e urës dhe rregullimin e rrugës “Kral Pjetri”, ndarja e kufijve administrativ. Ky vendim është nënshkruar nga ish-kryeministri Mustafa dhe nuk është zbatuar ky vendim”.

“…Pse nuk e kanë bërë këtë kur e kanë para vetës një dokument të nënshkruar në Bruksel”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Bahtiri ka thënë se sa të është ai në funksion të kryetarit të Mitrovicës, nuk do të ndodh kalimi i fshatrave shqiptarë nën Serbi.

“Janë shtatë fshatra [me shqiptarë] në pjesën e Mitrovicës andej lumit që serbët dëshirojnë t’i marrin bashkë me pjesën tjetër, por vendosmëria ime e fuqishme ka qenë dhe do të jetë se kurrë për jetë kjo nuk do të ndodh”, tha ndër të tjera agim Bahtiri./Telegrafi/

Exit mobile version