Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka bërë të ditur se do të nisë nënshkrimi i peticionit për inicimin e procedurës për ndryshim-plotësimin e Ligjit për kufijtë administrativë të komunave, me qëllim të bashkimit të komunës së Mitrovicës veriore me atë jugore.
Qytetarët me këtë rast do të kenë mundësi të nënshkruajnë peticionin në disa pika të organizuara nga vullnetarët nëpër pjesët e ndryshme të qytetit të Mitrovicës.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Mitrovicës më datën 30.11.2018 ka miratuar konkluzionin me të cilin i është propozuar Qeverisë së Kosovës inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit Nr./ L-041 për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.
Mirëpo, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka lejuar që konkluzioni i miratuar të delegohet tek institucionet qendrore duke e konsideruar si jo legjitim.