Site icon Telegrafi

Bahtiri ofron mbështetje institucionale për agrobiznese

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Nasuf Aliu, në vazhdën e vizitave që po u bënë bizneseve të komunës, ka qëndruar edhe në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, ku me pronarët e NTP “Agrokoshtova”, ka biseduar për gjendjen aktuale në këtë agrobiznes të suksesshëm dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet.

Pronarja e Ndërmarrjes, Hatixhe Brahimi, i ka thënë kryetarit Bahtiri, se ajo bashkë me bashkëshortin e saj, janë kthyer nga qytetit për të investuar në hapjen e ndërmarrjes, e cila veprimtari kryesore ka zhvillimin e pemëtarisë, por që krahas kësaj merret edhe me veprimtari të tjera, siç janë ndërtimi i serrave, minifermës për pula, tymosja e peshkut etje.

“Deri tash kemi mbjellë afër 2.000 trupa të pemëve, ku mbizotërojnë arrat e lajthitë, por që nuk janë lënë anash as dardhët e mollët. Kemi filluar ndërtimin edhe të një minferme të pulave dhe kemi ndërtuar kapacitet për tymosjen e peshkut, të cilin e në Istog dhe pastaj vazhdojmë këtu përpunimin. Punët sa për fillim po shkojnë mirë. Kemi një bashkëpunim të mirë me Drejtorinë e Bujqësisë, e cila po na mbështet në mënyra të ndryshme, por kemi nevojë edhe për një mbështetje më të madhe nga institucionet, në mënyrë që biznesi të zhvillohet ashtu sikur planifikojmë”, tha ajo ndër të tjera.

Kryetari Bahtiri, i kënaqur nga ajo që pa, tha se Komuna do të vazhdoj të mbështet bizneset e suksesshme dhe në veçanti ato që drejtohen nga femrat.

“Do të angazhohemi edhe më fuqishëm tani e tutje që të ju mbështesim materialisht dhe në forma të ndryshme, me qëllim që ju ët vazhdoni me sukses zhvillimin e veprimtarisë tuaj, në këtë fshat të bukur që ju ofron kushte optimale për biznesin tuaj. Do të ju lidhim edhe me institucione tjera vendore e ndërkombëtare që janë të specializuara për mbështetjen e këtyre veprimtarive dhe besoj se do përfitoni nga bashkëpunimi me to, pasi që ju me punën tuaj të deritashme jeni treguar ndërmarrje serioze”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri. /Telegrafi/

Exit mobile version