Site icon Telegrafi

Bahtiri: Nuk do të ketë copëtim të trojeve sa të jetë gjallë Mitrovica

Sa herë flitet për mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit eventual të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, nënkuptohet se Mitrovica do të pësojë më së shumti, andaj pakënaqësia dhe shqetësimi i qytetarëve lidhur me paralajmërimet ogurzeza për një mundësi të tillë është rritur tejmase.

Kështu u tha sot në Mitrovicë, gjatë tryezës të organizuar nga kryetari AgimBahtiri me liderët politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që për temë pati zhvillimet e fundit politike në vend, posaçërisht tendencën për ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve.

Ata u shprehën qartë kundër idesë së ndarjes së mundshme të Kosovës, apo shkëmbimit të territoreve.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka porositur të gjithë ata që mendojnë ta tradhtojnë vendin, se nuk do të ketë copëtim të trojeve ‘derisa të jetë gjallë Mitrovica’.

Sipas tij, interesat partiake duhet të tejkalohen kur bëhet fjalë për vendin, ndërsa paralajmëroi se në rast nevoje, beteja do të fillojë pikërisht në Mitrovicë dhe do të përfundojë në Prishtinë.

“Kjo ngjarje të cilën e kam thirr sot është një mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë me i bë tradhti këtij vendi, sikur që kanë bërë tradhti. Dhe mesazhi i qartë është se ne Mitrovica do të jemi gurthemel i atyre ngjarjeve të rëndësishme… Nuk do të ketë copëtim të trojeve deri sa të është Mitrovica gjallë. Këtu do të fillojë beteja dhe do të përfundojë në Prishtinë.

Mbani në mend, mua nuk më interesojnë partitë politike fare, edhe aty ku jam unë nënkryetar. Mua më intereson interesi i popullit tim… Unë e di që jam në qeverisje, e di që kam edhe katër ministri, por unë nuk ndi as për ministri, as për qeverisje, kur është në pyetje trualli i kombit dhe popullit shqiptar”, ka thënë Bahtiri.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, ka bërë të ditur se Kosova ka bërë gabime shumë të mëdha që nga fillimi.

Ai sqaroi se meqë Kosova është Republikë parlamentare, presidenti nuk ka kompetenca të bisedojë në emër të saj, andaj një gjë të tillë do ta ndalojnë qytetarët.

“Kemi bërë gabime shumë të mëdha që nga fillimi. Kemi gabuar që nga demobilizimi i UÇK-së, korniza kushtetuese kur e kemi pranuar, pakoja e Ahtisarit, e kështu me radhë…Parlamenti Evropian, Brukseli, ka kërkuar që të ketë biseda mes presidentëve pa na pyetur neve fare. Por, Kosova është Republikë parlamentare, nuk është Republikë presidenciale. Tek ne presidenti nuk ka ingerenca me bë kurrfarë bisedime në emër të Kosovës, dhe këtë do ta ndalojmë”, theksoi Mikullovci.

Safet Kamberi, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, tha se personat që përfaqësuan Kosovën në takimin e Brukselit, nuk kanë autoritet, legjitimitet dhe as mbështetjen e qytetarëve për një gjë të tillë.

“LDK-ja vlerëson se drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individë tjerë të infiltruar në pushtet për kusure politike të cilët ishin pjesë e takimit në Bruksel, nuk kanë autoritet, legjitimitet dhe as mbështetje popullore për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në dialog me Serbinë. LDK-ja konsideron se ky grup njerëzish të cilët i lidhë vetëm mbetja në pushtet dhe të cilët nuk përfaqësojnë më shumë se 40 për qind të qytetarëve, nuk i bëjnë nder vendit në emër të qytetarëve të Kosovës, duke mos pasur mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

LDK-ja mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-të për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces mund të çohet përpara vetëm nga institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e reja të lira dhe demokratike, si dhe me një konsensus të gjerë institucional, politik e shoqëror”, u shpreh Kamberi.

Halit Barani, kryetar i KMLDNJ-së në Mitrovicë, ka përmendur kompromiset e mëhershme kur janë vënë gjemborët mbi urën e Ibrit, për të cilat tha se kanë qenë të planifikuara nëpër takime të ndryshme, ndërsa synim kishin ndarjen.

“Kompromiset janë bërë edhe më herët, duke filluar prej 26 qershorit 1999 kur në urën kryesore mbi Ibër janë vënë telat gjemborë, këtu ka qenë Hashim Thaçi…Dihet se telat gjemborë i kanë vënë ushtria franceze, dhe se ka qenë e planifikuar shumë më herët nëpër takime të ndryshme ndarja e Mitrovicës, përkatësisht Kosovës. Kjo nuk ka dyshim”, tha ai.

Në anën tjetër, Alban Fazliu, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së, e ka quajtur tendencioze organizimin e kësaj tryeze nga ana e kryetarit Bahtiri, sepse siç tha ai, duke u marr me tema të mëdha, kryetari t’i ikë temave dhe përgjegjësive të tij që ka ndaj qytetarëve.

Ai tha se në diskutimet e presidentit, kryeministrit ose kryeparlamentarit, nuk është përmendur ndonjëherë ndarja, por përkundrazi diskutimet e tyre kanë qenë shumë të qarta duke thënë se nuk do të ketë asnjë kompromis sa i përket shkëmbimit të territoreve.

“Unë më shumë e shoh këtë punë të kryetarit si tendencioze, sepse kanë dalë raporte se nuk është duke punuar mirë, dhe tash hajt ta bëjmë një temë të madhe siç e ka zakon kryetari, sikurse gjatë katër viteve të kaluara, që me tema të mëdha t’i ikë temave dhe përgjegjësive si kryetar komune.

Kur flasim për dialog, dialogu përfaqësohet nga një president I zgjedhur prej shumicës absolute të Kuvendit…Çfarë legjitimiteti më të madh ka se sa presidenti me qenë përfaqësues në bisedime…Diskutimi i presidentit, por edhe i kryeministrit, edhe i kryetarit Veseli, ka qenë shumë i qartë se nuk do të ketë asnjë kompromis sa i përket shkëmbimit të territoreve”, potencoi Fazliu.

Exit mobile version