Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në tubimin përkujtimor në 19-vjetorin e masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, ka thënë se nëse preket qyteti i Mitrovicës do të ketë luftë.
Bahtiri ka thënë se plani i Serbisë parasheh ndarjen e këtij qyteti përmes lumit Ibër.
“Plani i Serbisë është ndarja e Kosovës përmes lumit Ibër… Nëse preket Mitrovica do të bëhet luftë që s’është parë asnjëherë deri tani… Mitrovica nuk guxon me u prek. Do të flasin vetë qytetarët dhe Mitrovica do të jetë epiqendër e fuqishme e revolucionit. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha Bahtiri, pas tryezës kushtuar 19- vjetorit të masakrës së natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, e cila ka ndodhur në veri të Mitrovicës, kur humbën jetën 10 persona dhe janë plagosur 25 të tjerë.
Në këtë akademi përkujtimore kanë marrë pjesë edhe të mbijetuarit e masakrës.
Ndërsa shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se kjo masakër ka qenë e organizuar drejtpërdrejt nga shteti serb, duke shtuar se është fatkeqësi e madhe që këto krime nuk janë trajtuar ende.