Site icon Telegrafi

Bahtiri: Mitrovicën e morëm për pesë javë, Drenasin do ta marrim për pesë ditë (Video)

Qytetarët e Drenasit e dëshirojnë ndryshimin rrënjësor. Kështu ka thënë kryetari i Mitrovicës, njëherit anëtari i AKR-së, Agim Bahtiri, në emisionin Rrokum Roll të televizionit Rrokum, duke komentuar fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit.

“Me kryetarin Pacolli jemi dakorduar që të shkrijmë kapitalin në Drenicë, sepse ai vend meriton për atë çfarë i ka dhënë Kosovës”, ka deklaruar Bahtiri.

Bahtiri i është kundërpërgjigjur akuzave se Pacolli po ndërton fabrika në Drenas vetëm për shkak të fushatës zgjedhore.

“A është e mundur me qenë e vërtetë kjo, sepse kemi të bëjmë me një njeri që e njeh e gjithë bota dhe që ka një kapital më të madh se buxheti i Kosovës”, ka sqaruar ai.

Duke folur për zgjedhjet në Drenas, Bahtiri ka thënë se është i bindur që AKR-ja do të shkojë në balotazh, ndërsa ka bërë me dije se, gjatë balotazhit do të ketë marrëveshje me partitë tjera.

“Unë kur kam thënë diçka, ajo është realizuar”, theksoi Bahtiri, duke këmbëngulur se ndryshimi do të ndodhë në Drenas, shkruan rrokum.tv.

Bahtiri ka thënë se kryetari i  ardhshëm ka me qenë nga AKR-ja, duke shtuar se, “Drenasin do ta fitojmë për 5 ditë”.

https://www.youtube.com/watch?v=JvGUGKPsZ20

 

Exit mobile version