“Vajzat e Mitrovicës” sot kanë organizuar një protestë paqësore pas dhunës dhe ngacmimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në qytetin e Mitrovicës.
“Kësaj proteste i është bashkuar edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i cili ka përkrahur iniciativën dhe protestën e organizuar kundër kësaj dukurie negative në qytetin tonë.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri në fjalën e tij theksoi se i mbështet dhe do të jetë pjesëmarrës çdo herë kur organizohen aktivitete të tilla, që kanë për qëllim eliminimin e dukurive negative në qytetin e Mitrovicës, e veçmas ndaj ngacmimeve seksuale të cilat duhet të marrin dënimin e merituar nga organet e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftimin për media.
Gjithashtu kryetari Bahtiri bëri të ditur se për këto dukuri që kanë ndodhur ka reaguar menjëherë përmes institucioneve përgjegjëse, duke u përkujdesur që kryerësit të këtyre veprave t’u shqiptohet dënimi i merituar.
Vlen të potencohet se kjo protestë ka filluar para objektit të Komunës së Mitrovicës, duke vazhduar tek Gjykata, dhe zgjati përafërsisht një orë. /Telegrafi/