Site icon Telegrafi

Bahtiri: Jam takuar me Thaçin, nuk e kam kuptuar çka ka dashur të thotë për korrigjimin e kufirit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ftuar liderët e të gjitha partive në vend për të diskutuar rreth ngjarjeve të fundit në vend, me theks të veçantë në lidhje zhvillimet rreth “korrigjimit” të kufijve.

Ai u shpreh shumë i bindur se të gjithë ata do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij, dhe këtu e ka përfshirë edhe Presidentin Thaçi.

“E kam bë ftesën me shpirt e me zemër për të biseduar për të mirën e shtetit të Kosovës. Në këto vende u derdh shumë gjak për qindra vite dhe duhet të mendohemi pak më largët, ta bëjmë një platformë të përbashkët, të ulemi, të bashkohemi dhe të jemi unikë. Kjo ka qenë arsyeja që t’i ftojë krerët e partive, të bisedojmë për shumë çështje dhe t’i qesim vijat e kuqe çka nuk mund të bisedohet në dialog. Pra të bisedojmë se cilat janë platformat“, tha Bahtiri në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.

“Unë jam i bindur se të gjithë krerët e partive do të marrin pjesë. Nuk kanë arsye të mos jenë në Mitrovicë. Ne duhet të jemi më të bashkuar për dialogun në Bruksel, ndërsa ne jemi duke u grindur. Duhet t’i dëgjojmë mendimet e njerëzve që kanë ide dhe strategji”, tha ai.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e Thaçit Bahriti e dha mendimin e tij: “Jam takuar me Thaçin dhe kam qëndruar 2-3 orë dhe ende nuk kam mundur të kuptoj çka domethënë, nuk është i definuar në mendimin e vet. Le të del dhe ta shpjegojë saktësisht. Ai që guxon me prek kufijtë për të cilat u derdh gjak unë mendoj se ai do te shkojë në shtëpi“.

“Në qoftë se korrigjohen gabimet e së kaluarës unë e përkrahi, por nëse bëhet diçka ndryshe besom se nuk do të bëhet“.

“Nuk mundemi me bë ndërrim brenda shtetit tonë. Jemi shumë të vendosur, o sot o kurrë, që ta ruajmë çdo pëllëmbë të tokës së Republikës së Kosovës. Lufta bëhet me territore dhe ne e kemi fituar luftën së bashku me aleatë“.

“Nuk do të mundet asnjë njeri të dalë mbi vullnetin e popullit, ai duhet me vendos“.

I pari i Mitrovicës foli edhe rreth asaj se çka po synon të bëjë shteti i Serbisë me idenë e shkëmbimit të territoreve: “Pasuritë në pjesën e Veriut janë tejet të larta, dhe në luftë Serbia s’ka mundur t’i marrë dhe nuk do të mundet as tani“.

“Zgjidhja është që dy vendet ta njohin njeri-tjetrin, ta marrim Luginën e Preshevës, ndërsa nëse kjo nuk është e mundur atëherë t’i njihet e drejta e shqiptareve atje“.

“Nuk mundemi me e shkelë gjakun e njerëzve qe e kanë dhënë jetën për këtë vend. Është e turpshme“, përfundoi Bahriti.

Foto: Arkiv

Exit mobile version