Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri iu është kundërpërgjigjur akuzave të PDK-së, të cilët pohuan se Bahtiri ka bërë marrëveshje me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq për ndërtimin e murit.
Bahtiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo është një gënjeshtër e kulluar e tyre.
“Nuk jam takuar dhe asnjëherë nuk kamë biseduar për murin me Goran Rakiqin, por kjo është gënjeshtër e kulluar e tyre. PDK është në panik pas lidhjes së koalicionit tim me Vetëvendosjen dhe tash po merret me shpifje”, ka thënë Bahtiri.
Ai më tej ka theksuar se e kupton PDK-në sepse ajo është e bindur tashmë se e ka humbur Mitrovicën edhe për shumë vite.
“Unë asnjëherë në asnjë mënyrë nuk marr vendim e as nuk komunikoj me dikë jashtë protokollit të shtetit të Republikës së Kosovës me atë projekt të cilin është nënshkruar më 25 gusht 2015 nga kryeministri i vendit. Për këtë i garantoj qytetarët dhe opinionin e gjerë”, ka thënë Bahtiri. /Telegrafi/