Site icon Telegrafi

Bahtiri: Haradinaj, Pacolli e të tjerët, asgjë nuk kanë bërë për veriun e Kosovës (Video)

Agim Bahtiri, Debat Plus

Kryetari i Komunës së Mitrovicës njëkohësisht nënkryetar i AKR-së, Agim Bahtiri, ka thënë se asnjë qeveri pas luftës nuk kanë bërë asgjë për veriun e Kosovës.

Bahtiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në pjesën veriore të Mitrovicës nuk po respektohen ligjet e Republikës së Kosovës.

“Nëse respektohen ligjet e Republikës së Kosovës në çdo pjesë të Kosovës, pjesa veriore nuk do të ishte e mbushur me pllakata serbe. As Beogradi nuk ka më shumë pllakata të tilla, që të duket vetja sikur je në Serbi e jo në Kosovë”.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut ka thënë se nëse do të kishte një Qeveri që do të respektonte ligjet e vendit, ai nuk do të kishte nevojë të merrej me pjesën veriore të Mitrovicës.

“Nëse Qeveria do të interesohej për pjesën e veriut, Kryetari i Mitrovices së Jugut nuk do të merrej fare me atë pjesë pasi ka mjaft probleme për të zgjidhur në jug”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Bahtiri ka thënë se askush nga zyrtarët qeveritarë deri më tani nuk kanë bërë asgjë për pjesën veriore të Mitrovicës.

“Haradinaj absolutisht nuk po bën asgjë për veriun e Mitrovicës. Edhe zëvendëskryeministri Pacolli edhe të gjithë të tjerët nga qeveritë e mëparshme nuk kanë bërë asgjë për pjesën e veriut. Nuk e kam atë problem të kritikoj edhe zotin Pacolli”, tha Bahtiri.

Bahiri ka thënë se është pjesë e AKR-së dhe i tillë do të mbetet, pavarësisht se raportet me Vetëvendosjen i ka të shkëlqyera./Telegrafi/

Exit mobile version