Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, sot kanë vizituar stafin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, për të parë nga afër gjendjen në këtë qendër lidhur me situatën e krijuar për shkak të virusit COVID-19.
Bahtiri falënderoi dhe vlerësoi lartë kontributin e gjithë personelit mjekësor të QKMF-së, dhe i inkurajoi ata që të vazhdojnë me këtë vullnet dhe përkushtim për tu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Mitrovicës me shërbime sa më cilësore dhe efikase, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë e krijuar si pasojë e virusit COVID-19.
Po ashtu Bahtiri i njoftoi personelin mjekësor se në bashkëpunim me shtabin komunal janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe se janë të gatshëm t’i mbështesin ata me të gjitha kapacitetet e mundshme të Komunës, duke iu drejtuar me kërkesa edhe nivelit qendror respektivisht Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, potencoi se stafi mjekësor në QKMF është i pajisur me masa mbrojtëse dhe dezinfektuese, duke ofruar shërbime mjekësore me siguri të lartë, si për stafin ashtu edhe për pacientët. /Telegrafi/