Site icon Telegrafi

Bahtiri dënon thyerjen e xhamave në ambulancën e minoritetit serb në Suhadoll

Kryetari Bahtiri dënon thyerjen e xhamave në ambulancën e minoritetit serb në Suhadoll

Pas njoftimit se persona të panjohur kanë atakuar me gurë duke i thyer dy xhama të dritares në ambulancën e komunitetit serb në Suhadoll, në pjesën veriore të qytetit, por që është pjesë e Komunës së Mitrovicës Jugore, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, bashkë me kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Jeton Ujkani dhe drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës, Iset Beka, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me këtë rast ka dënuar ashpër këtë akt vandal, pa marrë parasysh motivet dhe kush e ka bërë atë.

Ai nga Suhadolli ua ka bërë të çartë të gjithë keqbërësve se nuk do të lejoj në asnjë mënyrë që raportet gjithnjë e më të mira ndëretnike të dëmtohen nga askush, si dhe i ka garantuar banorët e atyshëm se do të kenë siguri të plotë nga organet përkatëse, ndërsa nga organet kompetente ka kërkuar që të veprojnë me shpejtësi për të zbuluar akterët e këtyre veprimeve vandale.

“Do të jem shumë këmbëngulës që asnjë qytetar në këtë pjesë të mos ndihet i pa sigurt dhe i shqetësuar për asgjë. Nëse është nevoja 24 orë do të jem vet i pranishëm këtu, deri sa të ketë qetësi absolute. I ftoj të gjithë qytetarët pa dallim etnie, që të kontribuojnë në drejtim të bashkëpunimit, mirëqenies dhe fqinjësisë së mirë, sepse kjo na nevojitet shumë tash dhe në të ardhmen”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Pasi ju ka bërë thirrje qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike për qetësi dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme kundër destabilizimit të situatës, kryetari Bahtiri ka ftuar homologun e tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, që me deklaratat e tij të kontribuojë për qetësim të situatës dhe bashkëpunim ndërmjet  të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.

Ndërkaq, lidhur me përhapjen e lajmeve për kinse sulm edhe ndaj shkollës së atyshme kryetari Bahtiri ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Exit mobile version