Site icon Telegrafi

Bahtiri dënon incidentet e fundit, kërkon vazhdimin e punëve përreth urës

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri e dënoi ashpër incidentin që ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme, si dhe disa incidente ndëretnike të ditëve të fundit, që kanë ndodhur në të dyja pjesët e qytetit e Mitrovicës, ku viktima kanë qenë,  si serbët, ashtu edhe shqiptarët.

Sipas tij, këto incidente që po ndodhin në kohën kur në qytetin e Mitrovicës situata e përgjithshme është e qetë, kur përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është duke shkuar mirë, kur lëvizja dhe qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve po zhvillohet pa probleme në të dyja anët e lumit Ibër, kur punimet për rivitalizimin e urës po vazhdojnë pa pengesa.

“Incidentet ndëretnike të ditëve të fundit, pavarësisht cilat janë motivet e tyre, janë të pa papranueshme, andaj edhe i dënoj ashpër dhe kërkoj reagimin sa më të shpejtë të organeve të hetuesisë, me qëllim që të zbulohen shakatarët dhe të vendosen para organeve të drejtësisë, për të marrë dënimin e merituar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndërpriten ato”, tha Bahtiri.

Në vazhdim kryetari Bahtiri apelon tek qytetarët e të gjitha përkatësive etnike që të vazhdojnë rrugën e komunikimit, bashkëpunimit dhe luftimit të të gjitha përpjekjeve që kanë për qëllim dëmtimin e interesave të përbashkëta.

“Po ashtu, janë të papranueshme dhe tendencioze përpjekjet e personave apo grupeve të ndryshme për politizimin e incidenteve, përderisa organet e hetuesisë, rendit e sigurisë, nuk i ndriçojnë motivet e tyre. Në vend që mundohen t’i politizojnë këto incidente, është më mirë, më njerëzore dhe më efikase e frytdhënëse që këta persona apo grupe, të angazhohen për të dhënë kontributin e tyre për ruajtjen e të arriturave të lartpërmendura dhe për një të ardhme më të mirë të të gjitha komuniteteve”, thekson  Bahtiri.

Dhe krejt në fund, kryetari Bahtiri vlerëson se është e pa nevojshme, e papranueshme dhe madje e dëmshme ftesa për ndërprerjen e punimeve për rivitalizimin e urës kryesore mbi Ibër. /Telegrafi/

Exit mobile version