Deputetja nga Partia Social Demokrate, Besa Baftiu ka thënë se si parti e përkrahin iniciativën e deputetes Kadaj-Bujupi për shtesat e fëmijëve, por kërkojë që të jetë për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare.
Sipas saj, kjo iniciativë do të duhej të vinte nga Qeveria, duke pasur parasysh se gjatë fushatës zgjedhore, siç tha ajo, të tri subjektet kanë premtuar shtesat për fëmijë.
“Mirëpo siç e dimë jemi 20 vjet pas luftës dhe gjendja është kjo që është, prandaj kjo iniciativë është më se e domosdoshme dhe e vonuar, duke pasur parasysh se 33 përqind e fëmijëve jetojnë në varfëri, po ashtu edhe 10 përqind të fëmijëve janë të përfshirë në punë, shtatë përqind e fëmijëve punojnë edhe punë të rënda, që do të thotë se kjo ndihmon edhe në kushtet sociale”, tha Baftiu.
Në lidhje me rezolutën dhe pikën 1 ku përfshihet mosha e fëmijëve që do të mund të gëzojnë këtë shtesë, ajo nuk është pajtuar duke shtuar se në bazë të konvenentës së të drejtave të njeriut, fëmijë është një njeri deri në moshën 18 vjeçare, e jo ashtu siç po parashihet që këto shtesa të jenë deri në moshën 16 vjeçare.
Ajo ka kërkuar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale një shifër të kostos buxhetore, se sa do t’i kushtojnë vendit shtesat për fëmijë./kp/