Site icon Telegrafi

Babë e bir të ekzekutuar në Shkodër, pistat që po heton policia

Gjokë dhe Eduart Gurra, babë e bir, u vranë ditën e djeshme me armë zjarri në fshatin Sumë, në Dukagjin të Shkodrës, nga persona ende të paidentifikua.

Sipas burimeve të Euronews Albania, dy janë pistat e hetimit të ngritura nga policia.

Njëra nga pistat është kultivimi i lëndës narkotike kanabis, ndërsa pista tjetër e hetimit është konflikti për shkak të furnizimit me dru që bënin viktimat në Shkodër.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 16:40 të ditës së djeshme në fshatin Sumë, Njësia Administrative Pult. Një zjarrvënie e qëllimshme e shtëpisë së tyre në Dukagjin, një natë më parë, ka bërë që Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe Eduard Gurra, 31 vjeç, të shkojnë në vendin e origjinës së tyre për të parë dëmet e shkaktuara.

Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërsa duket si një skenar i përgatitur për t’i zënë në pritë babë e bir.

Të dy viktimat rezultojnë pa precedentë penalë, madje Gjokë Gurra kishte punuar në Policinë e Shkodrës deri në vitin 2008, kur ka dhënë dorëheqjen.

Gjokë Gurra ishte babai i dy djemve, ndërsa djali i tij Eduarti ishte baba i dy vajzave. Ende po punohet për identifikimin e autorit/autorëve që mund të fshihen pas kësaj ngjarjeje. /Telegrafi/

Exit mobile version