Meshkujt do të duhej të krijonin familjen para moshës 35-vjeçare, në mënyrë që t’i shmangin rrezikun nga sëmundjet e fëmijëve të tyre.
Studimi, i cili ka përcjellë miliona bebe, ka arritur në përfundim që rreziku nga komplikimet lidhur me lindjen janë më të mëdha kur baballarët janë në moshën e mesme tridhjetëvjeçare, ndërkaq dukshëm rritet nga mosha 45-vjeçare, transmeton Telegrafi.
Tashmë me decenie është rrënjosur mendimi që aftësia riprodhuese e femrave bie me kalimin e moshës, mirëpo studimi më i ri i publikuar në British Medical Journal tregon që meshkujt gjithashtu mund të kenë probleme të cilat vijnë me moshën.
– Ekspertët deri te ky moment kryesisht kanë studiuar ndikimin e shëndetit të femrave te fëmijët e porsalindur, mirëpo studimi i tyre tregon që shëndeti i fëmijës varet nga të dy prindërit, me ç’rast edhe mosha e babait luan rol të madh, thotë profesori i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Stanford, Michael Eisenberg.
Në krahasim me baballarët midis moshës 25 dhe 35 vjeç, foshnjat, prindër të të cilëve janë baballarët e moshës prej 35 deri në 45 vjeç, kanë pasur pesë për qind probabilitet më të madh që të jenë të lindur para terminit apo me peshë të vogël trupore.
Te meshkujt e moshës nga 45 vjeç, 14 për qind e fëmijëve janë pranuar në kujdes intensiv, 14 për qind janë lindur më herët, 18 për qind e fëmijëve kanë shans më të madh të sëmuren nga epilepsia dhe 14 për qind lindin me peshë të ulët.
Nëse babai është më i moshuar se 50 vjeç, probabiliteti që fëmijëve të tyre do t’u nevojitet ndihma gjatë frymëmarrjes drejtpërdrejt pas lindjes është rritur për dhjetë për qind, ndërkaq shanset që u është nevojitur kujdesi intensiv janë shtuar për 28 për qind.
– Vërtet ishte befasuese dhe zbulim që ekziston lidhja e vërtetë midis moshës së babait dhe shanseve që nëna të marrë diabetin gjatë shtatzënisë, thotë Eisenberg.
Partneret e meshkujve më të moshuar se 45 vjeç kanë pasur 28 për qind probabilitet më të lartë për zhvillimi të diabetit të shtatzënisë, në krahasim me baballarët e moshës 25 deri 35 vjeç.
Eisenberg, gjithashtu, ka thënë që mekanizmat e mundshëm biologjikë, të cilët çojnë te kjo gjendje janë të paqartë, mirëpo dyshon që placenta e nënës ka rolin në të. /Telegrafi/