Bunjaku dje ka publikuar listën për miqësoren kundër Haitit, takim ky që luhet me 5 mars në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’.
Në listën e Bunjakut nga liga e Kosovës gjendet vetëm portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica.
Më të zbuluar lista e përzgjedhësit të Kosovës, kanë nisur reagimet në adresë të Bunjaku, i cili ka ‘harruar’ katër herë lojtarin më të mirë të vendit tonë, Mentor Zhdrellën.
Shpëtim Babaj, mesfushor i Trepçës, është njëri nga futbollistët e shumtë që është i befasuar që Zhdrella nuk është pjesë e listës së Bunjakut.
Babaj përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se nuk e kupton se si lojtari më i mirë i Kosovës nuk është pjesë e përfaqësueses sonë në miqësoren kundër Haitit.
“Nuk e kuptoj se si ka mundësi që në ndeshjen e parë të përfaqësues sonë (e cila është historike dhe luhet në Kosovë), Albert Bunjaku mos ta grumbullojë lojtarin më të mirë në Kosovë, Mentor Zhdrellën, i cili është shpallur katër herë lojtari më i mirë i Kosovës. Të gjithë ata që e kanë parë e dinë farë mirë se çfarë kualitetesh ka ky lojtar dhe jam i bindur se është shumë më i mirë se lojtarët që i ka ftuar (me gjithë respektin që kam për lojtarët e ftuar)”, ka shkruar Babaj.
Ai thotë se “të gjithë e din se sikurse Zhdrella të shkonte të luante jashtë Kosovës, do të ishte pjesë e ligave më të forta se sa lojtarët e ftuar”. /KP/Telegrafi/