Të afërm e miq të familjes Gashi kanë mësyrë derën e shtëpisë së Ibish Gashit në fshatin Nekoc të Drenasit, për ta parë e ngushëlluar për djalin që iu vra, dy net më parë, në Zvicër.
I biri i tij, 32-vjeçari Arben Gashi, mbeti i vrarë nga tre plumbat që iu shkrepen në trup, nga një i dyshuar italian. Ai mendohet të jetë viktimë e gabimit të vrasësit, i cili kërkonte një serb.
“Krejt me të nime”, ka thënë Ibish Gashi, babai i të ndjerit. “Jemi tu pritë shtetin zviceran me na njoftu për krejt çka ka ndodhë. Po pres edhe trupin e djalit të vdekur me ma pru ketë javë që me e varrosë”.
Natën tragjike ai kishte biseduar me të birin, të cilit i ishte ankuar për lodhje me punët e fshatit.
“Më tha pije pak ujë babë, masi je lodh, e prishe Ramazanin masi je tuj punu. Ka gjysma e natës, më ka thirr shoku i tij që ka kanë me ta. Ja ka nis mem tregu, po e ka ndërpre telefonatën në gjysmë, se s’ka mujtë me ma thanë”, thotë ai.
Arben Gashi u vra në banesën e tij në komunën e Winznaut. Ai ishte duke bërë dush në banjë, derisa vrasësi ishte futur me revole duke shkrepur tre plumba mbi të. Në momentin kritik, në banesë kanë qenë edhe dy kosovarë të tjerë, të cilët kishin arritur të ikin duke u hedhur nga dritaret.
Vrasësi, një italian 38 -vjeçar, është arrestuar dhe ka pranuar krimin e kryer. /GazetaExpress/