Telegrafi

Babai i Qamile Tahirit kërkon kthimin e vajzës së tij nga Siria (Video)

U fol shumë për Lavdrim Muhaxherin, por tash nam i madh po i jepet edhe Qamile Tahirit.

Kjo, e dyta sikur i pari, nga mediat e huaja po konsiderohet si një nga luftëtaret kryesore në organizatën terroriste ISIS.

Por, këtyre pohimeve të fundit të gazetës ruse, Sputnik, nuk iu beson Hamzë Ramadani, burri që me çdo kusht e do të bijën 26 vjeçare të kthyer në Kosovë, raporton Klan Kosova.

Ai e pranon se vajza e tij është në ISIS, por nuk beson që ajo është luftëtare.

Thotë kishte shkuar te burri i saj, që ishte pjesë e ISIS-it, i cili më vonë ishte vrarë.

Hamza tregon se me vajzën flasin një herë në javë, dhe ajo ka dëshirë të kthehet në Kosovë, por thotë se nuk mundet.

Qamilja para se të shkonte në Siri, kishte jetuar në Mitrovicë, nga ishte edhe burri i saj.

Media ruse Sputnik, tregimin për Qamilen e kishte bazuar në një raport të OJQ-së Qendra Kosovare për Siguri (QKS), por këta të fundit në një konferencë, kanë thënë se kjo media ruse po i keqpërdorë raportet e tyre, ngase ata nuk e kanë thënë e as nuk e kanë të shkruar këtë fakt për kosovaren e ISIS-it.