Site icon Telegrafi

Babai plagosi të bijën dhe më pas vrau veten, i afërmi: Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte marrë i ati

Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të diel në Lushnjë, ku babai plagosi rëndë të bijën dhe më pas vrau veten.

I afërmi i familjes ka treguar për Top Channel se 40-vjeçarja ishte e divorcuar, ndërsa fëmijët qëndronin me babain e tyre.

“Se si kanë qenë ata nuk e di. Vajza ishte e divorcuar, fëmijët i kishte mbajtur dhëndri. Vajza jetonte vetëm në Tiranë. Unë e kam baxhanak. Nuk e di si i kanë pasur rrethanat. Nuk kanë pasur më parë probleme”, tha i afërmi i familjes.

Raportohet se vajza kishte qenë në emigrim në shtetin e Gjermanisë. Ajo prej kohësh jetonte me qira në Tiranë.

Lexo po ashtu Qëlloi me armë të bijën dhe më pas vrau veten, si ndodhi ngjarja e rëndë në Lushnjë

Fëmijët e mitur jetonin me babain e tyre që pas divorcit.

Ndërkohë ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

“Rreth orës 15:15, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, shtetasi B. M., rreth 82 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit, ka plagosur me armë gjahu të cilën e dispononte me leje, vajzën e tij, shtetasen R. M., rreth 40 vjeçe, dhe më pas dyshohet se ka vrarë veten. Shtetasja R. M., ndodhet në spitalin e Lushnjës, në kujdesin e mjekëve, në gjëndje të rëndë shëndetësore”, njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave, dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Exit mobile version