Telegrafi

Babai i Messit përgënjeshtron lajmet se djali i tij la sot stërvitjen te PSG

Babai i Lionel Messit, Jorge, pati një reagim të ashpër në rrjetet sociale pas thashethemeve për djalin e tij.

Leo ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë kontratën e tij me PSG-në, e cila skadon në verë dhe spekulimet e shumta kanë zemëruar babanë e tij.

Më saktësisht, babai i yllit të PSG-së ka reaguar ndaj thashethemeve sipas të cilave argjentinasi ka marrë një ofertë prej 600 milionë eurosh nga Al-Hilal, por edhe lajmin se Messi u largua nga stërvitja e parisienëve sot, i pakënaqur me metodat e punës të trajnerit Christophe Galtier.

Lexo po ashtu Messi dukshëm i pakënaqur, shkaktoi skandal të ri te PSG – trajneri Galtier iu lut të ndryshonte mendje

Jorge Messi i ka kategorizuar këto thashetheme si “gënjeshtra” dhe u ka thënë ndjekësve të tij që të mos besojnë gjithçka që shfaqet për djalin e tij.

“Deri kur do të gënjeni? Ku janë provat? Të gjitha janë false, ok! Mos u besoni asgjë atyre! Nuk do të tolerojmë më gënjeshtra për të shtuar ndjekësit e tyre”, ka shkruar Jorge Messi në një postim në Instagram.

Gazetari Hadrien Grenier ka publikuar sot informacionin se Messi është larguar nga stërvitja e PSG-së të martën, pasi ka qenë i pakënaqur me stërvitjen e sugjeruar nga trajneri Galtier, por informacioni nuk është konfirmuar nga asnjë burim përkatës, ndërsa në të njëjtën kohë mediat më të besueshme franceze pohojnë se Messi kishte probleme me aduktorin dhe për këtë arsye e përfundoi stërvitjen më herët.

Duke qenë se Messi nuk ka nënshkruar ende një vazhdim të kontratës me skuadrën e Parisit, ka spekulime për rikthimin e tij eventual në Barcelonë apo për të shkuar në ligën MLS, apo edhe në Arabinë Saudite. /Telegrafi/