Lamine Yamal është gati për ndeshjen më të madhe të karrierës së tij në rritje në finalen e Euro 2024 që do të luhet këtë vikend.
Spanja do të ballafaqohet me Anglinë më datë 14 korrik në qytetin e Berlinit në kërkim të trofeut të parë evropian që nga viti 2012.
Lamine Yamal do të mbush 17 vjet një ditë para finales si pjesë e një vere të paharrueshme për sulmuesin e Barcelonës.
Paraqitjet e tij kanë lartësuar kampanjën e Spanjës në Gjermani me tri asistime dhe një rekord të ri si golashënuesi më i ri në histori të kësaj gare.
Para finales, familja e tij po presin me nervozizëm rezultatin e saj, ndërsa babai i tij do të fluturojë në Gjermani për ta përcjellur të birin e tij.
Mounir Nasraoui ishte intervistuar para se të bëjë udhëtimin në Berlin aty ku ai përmendi faktorin kyç në rritjen e djalit të tij.
“Ai është një bekim nga zoti dhe ne duhet të jemi mirënjohës. Megjithatë ai nuk është shpresa e vetme e Spanjës, është e tërë skuadra”.
“Lamine nuk po luan vetëm, ne duhet të shikojmë ekipin. Unë jam i lumtur dhe krenar për djalin tim, përulësia është gjëja më e rëndësishme për një qenie njerëzore dhe nuk duhet të humbet”, ka thënë babai i Yamal./Telegrafi/