Vincent Kompany është emëruar trajner i gjigantit gjerman Bayern Munich dhe për shumë kë kjo ishte një befasi e madhe.
Trajneri belg ra nga Liga Premier me skuadrën e tij Burnley dhe të shkosh për ta udhëhequr një nga skuadrat më të mëdha në botë është vërtetë befasi.
Por babai i ish-qendërmbrojtësit belg nuk është befasuar aspak nga kjo zgjedhje e Bayernit.
Pierre Kompany, që është një politikan në Belgjikë ka thënë se ai nuk u befasua nga vendimi i Bayernit, pasi djali i tij ka refuzuar Chelsean dhe Brightonin që e donin gjithashtu.
“Ishte një befasi për të gjithë botën. Epo, për mua nuk ishte. Nëse shikoni se cilat skuadra tashmë kanë kontaktuar : vitin e kaluar ishin Tottenham dhe Chelsea, tani Brighton ka treguar interes dhe Chelsea përsëri. Por kur Bayerni, një klub që është aq mirë i strukturuar në të gjitha nivelet, troket, nuk mund ta refuzosh”, tha Pierre Kompany për La Dernière Heure/Les Sports.
Pas largimit të Thomas Tuchel, Bayerni ishte refuzuar nga disa trajnerë si Xabi Alonso, Julian Nagelsmann dhe Ralf Rangnick.
“Tek Bayern ata nuk e shikonin verbërisht rënien nga Liga Premier. Ata e dinë se Burnley duhet të kishte marrë më shumë pikë. Ata menduan se ishte e drejtë që Vincent nuk hoqi dorë nga loja dhe vizioni i tij”, tha Pierre Kompany. /Telegrafi/