Telegrafi

“Babai i sorrave”

Şeref Yaman, tregtari 58-vjeçar që ka një dyqan të produkteve elektrike në Üsküdar të Stambollit, ka një dashuri ndryshe për zogjtë. Në vend të sojeve atraktivë si kanarinat, papagallët, pëllumbat etj., ai kujdeset për sorrat.

Në një deklaratë për gazetarin e AA-së, Yaman – i cili në rajon njihet ndryshe edhe si “babai i sorrave” – është shprehur se dashurinë për sorrat e ka njohur një ditë kur ka vajtur tek një kasap përballë dyqanit të tij.

“Vërejta një sorrë të braktisur. E mora dhe e vendosa në tarracën mbi dyqan, se ndoshta vjen ndonjë sorrë tjetër e ndihmon. Sorra qëndroi në vendin ku e kisha lënë dhe, kur më shikoi mua, u afrua duke përplasur krahët. E mora në dyqan për t’u kujdesur për të. Ky zog u mësua shumë me mua: unë flisja më të; i thoja ‘eja’ e ai vinte; i thoja ‘ik’ dhe ikte; ‘ngrije kokën të të puth’ dhe e puthja. Kështu nisi dashuria për sorrat. Kur isha i vogël nuk i doja aspak. Ndërsa, tani i dua të gjitha sorrat “, tregon Yaman, për të shtuar se një kompani ia kërkoi sorrën për xhirimin e një filmi në rajonet Diyarbakır, Van dhe Tatvan.

“25 ditë pasi ikën, telefonova dhe më thanë se sorra kishte ngordhur. Kërkova fotografi, por nuk e dërguan. E humba sorrën. Kemi qarë shumë kohë me bashkëshorten. Pranë kishte një zog tjetër të familjes ‘Pica’, që e njihte si nënën e saj. Pas ngordhjes së sorrës, edhe ajo më braktisi”, është shprehur Yaman.

Më vonë ai u sëmur me kancer të mushkërive. Pas procesit të kimoterapisë, pasi rifitoi shëndetin e tij, përsëri nisi të kujdeset për sorrat. Së fundmi kujdeset për një sorrë të rënë nga foleja e që nuk ecën dot. Ai e quan “Boncuk”!

“Shpresoj që do të shërohet dhe ngadalë do të mësohet me njerëzit. Pasi të shërohet plotësisht do ta lëshoj në natyrë. Kështu kam vepruar edhe me zogjtë tjerë. Ata nuk dëshirojnë të qëndrojnë në ambient të mbyllur”, është shprehur Yaman. “Ka nga ata që shprehen se sorrat sjellin fat të keq, por e kanë gabim: asnjë krijesë e Allahut nuk sjell fat të keq”! /Telegrafi/