Site icon Telegrafi

Babai i Hashim Thaçit përsëri në spital, avokati Misetic: Specialja ia ka refuzuar kërkesën për vizitë

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka njoftuar se Gjykata Speciale i ka refuzuar kërkesën për ta vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçi, i cili ndodhet në Spitalin Amerikan në Kosovë.

Misetic ka bërë të ditur se babai i Thaçit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se kërkesa për një leje të shkurtër e të mbikëqyrur është kundërshtuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe më pas është refuzuar edhe nga gjyqtarët.

“Klienti im, Hashim Thaçi, ka babanë shumë të sëmurë dhe është rikthyer në spital. Ne kishim kërkuar që Hashim Thaçit t’i jepej një leje e shkurtër, e mbikëqyrur, për ta vizituar atë për arsye humanitare. Zyra e Prokurorit të Specializuar e kundërshtoi këtë kërkesë, dhe gjyqtarët e refuzuan vizitën”, ka shkruar Misetic në rrjetin social X.

Ndërkohë, Haxhi Thaçi vazhdon të trajtohet në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Hamzë Morina, i cili në një postim në Facebook ka bërë të ditur se babanë e Thaçit e ka vizituar ish-komandanti i UÇK-së, Azem Syla, i shoqëruar nga kardiokirurgu Arber Kutllovci.

“Sot, në orët e pasdites, ish-komandanti suprem i UÇK-së, z. Azem Syla, i shoqëruar nga kardiokirurgu Arber Kutllovci, vizituan babain e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, z. Haxhi Thaçi, i cili gjendet në trajtim mjekësor në Spitalin Amerikan në Prishtinë,” ka shkruar Morina në Facebook.

Exit mobile version