Site icon Telegrafi

Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt

Babai i Erling Haaland ka thumbuar skuadrën e Arsenalit pas fitores që këta të fundit e morën me rezultat 5-1 ndaj Manchester Cityt.

Arsenali e ngushtoi diferencën me liderin e tabelës Liverpoolin, duke ‘shkatërruar’ Man Cityn para turmës vendase.

Martin Odegaard hapi serinë e golave, para se Haaland të shënonte në pjesën e dytë për të barazuar gjithçka.

Megjithatë, të besuarit e Artetas u kundërpërgjigjën duke realizuar edhe katër herë të tjera përmes Thomas Partey, Myles Lewis-Skelly, Kai Havertz dhe Ethan Nwaneri.

Lexo po ashtu Arsenali shkarkon të gjithë potencialin ndaj Manchester Cityt dhe i turpëron në ‘Emirates’

Gjatë ndeshjes, Lewis-Skelly duket se u tall me Haalandin pasi kopjoi festimin e norvegjezit në momentin e shënimit të golit.

Arsenali më pas postoi një fotografi të Lewis-Skelly duke bërë festimin e Haaland, shoqëruar me përshkrimin: “Kjo skuadër”.

I shpejtë ishte reagimi i baabit të Haaland, Alfie Haaland, i cili iu kundërpërgjigj këtij postimi të Arsenalit.

Në platformën X, ai shkroi: “Kjo skuadër që fiton gjithçka”.

Arsenali ende nuk e ka fituar Ligën Premier nën udhëheqjen e Mikel Artetas, i cili ishte rivali kryesor i Pep Guardiolës në dy sezonet e fundit.

Ata përfunduan në pozitën e dytë në dy kampanjat e fundit teksa ‘Qytetarët’ fituan katër tituj radhazi./Telegrafi/

Exit mobile version