April Becker Antoniou kishte kaluar shumë kohë duke kërkuar babanë e saj. E gjitha çfarë ajo dinte ishte se kur ajo ishte e vogël, prindërit e saj ishin grindur dhe kishin vendosur të ndaheshin.
Nëna e saj u largua me të dhe ajo kurrë nuk e pa më të atin. April i fajësoi ata për vendimin që morën, por gjithashtu i fali të dy. “E di se kishin një mospajtim, dhe nëna mendoi se është më mirë të ikim. I fajësoj që të dy që morën një vendim kaq të keq”, tha ajo për Wichita Eagle. “Pas 15 ose 20 vitesh, vendosa të mos nervozohem për këtë”, shtoi ajo.
Kështu ajo filloi ta kërkonte babanë e saj Scott Robert Becker. Ajo filloi të shkruante emrin e tij në motorë të kërkimit online, por pa pasur fat. Më pas një ditë, më 2009, ajo shkroi një frazë që do t’i ndryshonte jetën: “Scott Robert Becker po e kërkon April”.
Dhe kështu ajo gjeti ueb-faqen AprilBecker.com, një ueb-faqe e tërë dedikuar asaj. Në të ishte një letër që shkruante: “E dashur April, kur ta lexosh këtë, të lutem dërgoje një e-mail në april@aprilbecker.com. Jam babi yt dhe me të vërtetë do të doja të flisja me ty”.
April i dërgoi e-mail. Dhe në fund doli se edhe ai e kishte kërkuar atë me vite të tëra. Ai madje kishte punësuar dy detektivë që i kushtuan 40,000 dollarë, por që nuk i ndihmuan asgjë, shkruan express. Më pas babai krijoi AprilBecker.com. Ueb-faqja kishte qenë hapur për rreth një dekadë. Pas 30 vitesh, ata u bashkuan. April e ftoi atë në familje dhe e prezantoi me nipërit dhe mbesat.