Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, ka thënë se Prokuroria e Shtetit është dashur t’ia japë familjes një kopje të raportit të ekspertizës së Institutit Zviceran të Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore.
Dehari e ka quajtur këtë veprim të Prokurorisë së Shtetit si “vrasje të dytë të Astritit”.
Ai ka folur edhe për, siç ka thënë ai, arrogancën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Iu drejtova personit kontaktues në Zyrën e Kryeprokurorit të Kosovës dhe personi që u paraqit në telefon ishte administratori, i cili në mënyrë shumë arrogante më tha se nuk e kam numrin e kryeprokurorit. U detyrova t’i them që të mos më thoshte se nuk e kam numrin, por që nuk dëshironi të ma dhuroni – sepse ajo këtë detyrë ka”, ka thënë babai i Astritit në një konferencë për media.
Prokuroria Themelore në Prizren refuzoi sot t’ia dhurojë familjes raportin e ekspertizës të Institutit Zviceran-Qendrës Universitare të Mjekësisë ligjore në Zvicër në origjinal, në gjuhën në të cilën është përpiluar.