Avdi Zeqiri, babai i sulmuesit të talentuar Andi Zeqiri, ka folur për mundësinë që djali i tij të vihet në dispozicion të Bernard Challandes në muajin tetor.
Ka pasur komentime të ndryshme të situatës, duke qenë se futbollisti i ka përfaqësuar grupmoshat e reja të Zvicrës.
Në një lidhje direkte me emisionin ‘Koha Shtesë” në SuperSport, babai i tij është pyetur se a do të jetë 21-vjeçari në dispozicion të Kosovës për ndeshjet e tetorit.
“Kemi ende probleme me dokumentacionin dhe për momentin nuk di të them nëse do të rregullohet gjithçka për të qenë gati për muajin tetor. Gjithsesi me rëndësi është të theksojmë se Andi ka vendosur të përfaqësojë Kosovën dhe debutimi i tij vetëm sa mund të shtyhet”.
“Ne kemi bërë të gjithë procedurat e nevojshme dhe vetë Andi ka firmosur çdo dokument që duhet për të marrë lejen të luajë me Kosovën”.
“Tani gjithçka është në dorë të FIFA-s dhe organeve kompetente atje, të cilat duhet të mblidhen dhe të ‘ndezin dritën jeshile’”, ka theksuar ai.