Telegrafi

“Babagjyshët” vizitojnë fëmijët e sëmurë në Spitalin e Pediatrisë në Tiranë

Në prag të festave të fundvitit, edhe këtë herë “Babagjyshët” nuk harruan që të surprizojnë me dhurata fëmijët që janë të shtruar te Pediatria dhe janë të detyruar që t’i kalojnë aty këto ditë.

Djemtë e shërbimit të kërkim-shpëtimit malor u veshën si Babagjyshë dhe u ngjitën nga dritaret e Pediatrisë për t’i bërë një surprizë shumë emocionuese vogëlushëve.

Ekipi i Grup Shpëtimit Malor të Shqipërisë u ka dhuruar fëmijëve dhurata në një mënyrë të veçantë.

Të veshur me kostumin e Babagjyshit, ata realizuan zbritje me litarë dhe u dhuruan fëmijëve dhurata nga dritarja.

“Momente gëzimi për fëmijët e Spitalit Pediatrik në QSUT, në prag të festave tashmë kemi çdo ditë, por ky ishte më i veçanti për ta, pasi ekipi i Grup Shpëtimit Malor të Shqipërisë realizuan zbritje me litarë të veshur si babagjysh duke i dhuruar fëmijëve të hospitalizuar dhurata, nga dritaret e dhomave të spitalit. Falënderime dhe mirënjohje pafund për këto momente të gëzueshme për pacientët tanë të vegjël”, shkruan QSUT në një status në Facebook. /Telegrafi/