Në debatin B2B me bizneset e Malit te Zi në ambientet e panairit ‘Agrokos’ në Prishtinë, firma të shumta nga rajoni, vendi dhe më gjerë kanë arritur të shkëmbejnë kontaktet e tyre dhe të arrijnë marrëveshje partneriteti në Kosovë për bashkëpunim tregtar.
Bekim Xhafa nga CEO, thotë për KosovaPress se B2B është një mundësi e mirë për lidhje të marrëveshjeve për eksport.
Xhafa tha se sot ka pasur një strukturë të vizitorëve mbi 90 për qind që janë biznese dhe kjo është rëndësia e panairit, pasi ekspozuesit kanë ardhur më shumë për bizneset, pasi përmes këtyre bëhet edhe shpërndarja e produkteve në treg.
“Deri tani aq sa kemi informacione prej vetë ekspozuesve duket se është një rezultat i kënaqshëm nga shumica që kam biseduar. Tash po fillon edhe një B2B në mes të bizneseve tona me Malin e Zi dhe me Bosnjën, pres që të ketë marrëveshje të reja në mes të bizneseve tona. Pres që të ketë lidhje për mundësi eksporti jashtë Kosovës në këto tregje, pra përmes këtyre B2B-ve. Po ashtu, pres edhe të ketë marrëveshje për import të produkteve në rajon, të cilat ne si kemi në Kosovë”, deklaroi Xhafa.
Ndërsa, Xhemal Ravja nga kompania “Veterinum” në Ulqin, i cili mori pjesë B2B, tha se janë prodhues të ushqimeve për bletë, ku posedojnë pesë lloje të ushqimeve, ndërsa theksoi kjo kompani ka arritur të ketë një përfaqësi në Kosovë.
Ai tha se në panairin “Agrobiznesi” në Prishtinë, kanë prezantuar ushqimet për bletë, ku posedojnë pesë lloje të ushqimeve.
“Si prej çdo panairi, presim një komunikim me firma të Kosovës dhe rajonit, kështu që çdo panair e ka një vlerë të vet, edhe ky panair i ‘Agrobiznesit’ në Prishtinë besojmë se do ta jep efektin e tij. Ne kemi një përfaqësues tonin për Kosovë, kështu që ushqimi ynë ka filluar të jetë prezent në Kosovë dhe ka marrë hapat e vet”, tha Ravja.
Pjesë e B2B ishte edhe biznesmeni Boban Babiq nga Podgorica, I cili tha se Kosova është vend tërheqës për investime.
Në panair po vazhdon të jenë të prezantuara edhe turshitë e përgatitura nga gratë e Krushës dhe prodhime të ndryshme.
Ersa Hoti nga Kooperativa Bujqësore “Krusha” ishte e kënaqur me numrin e vizitorëve dhe organizmin e panairit.
Hoti thotë se sot pati mjaft shitje të turshive, ndonëse pret që edhe nesër të ketë interesim edhe më të madh të qytetarëve.
“Sot në panair në ditën e dytë ka pasur shumë vizitorë dhe konsumatorë që kanë blerë produkte, të cilat edhe kanë pasur dëshirë me pasur njohuri për produktet. Po ashtu ka pasur edhe blerës të shumtë. Panairi është edhe nesër që besoj se do të ketë më shumë konsumatorë”, tha Hoti.
Edhe Melina Belegu nga ‘Frutomania’, theksoi se interesimi i qytetarëve për produktet vendore ishte i madh. Ajo theksoi se në këtë panair po prezantojnë produktet e tyre 100 për qind nga frutat, xhema, raki “Karl Gega’ si dhe për produktin e ri, për oshaf ose çips të mollës.
“Sot ka më shumë interesim se dje, ka pasur një fluks më të madh të personave. Po presim që edhe ditën e nesërme me pasur edhe më shumë. ‘Frutomania’ veçse është e njohur, ka interesim të madh. Të interesuar ka shumë edhe për brendet e reja dhe për linjat e reja”, tha Belegu.
Panairi “Agrokos”, ku po marrin pjesë mbi 100 kompani nga vendi, rajoni dhe më gjerë, do të jetë i hapur edhe nesër në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.