Djali i boksierit Aziz Salihu, Mentor Salihu, në një postim të vetin në Facebook e ka përshkruar si të rëndë gjendjen shëndetësore të babait të vet, transmeton Koha.net.
Sipas shkrimit të tij, ish-kampioni në boks i Kosovës, e ish- Jugosllavisë dhe në disa gara ndërkombëtare e që zuri vendin tretë në Lojërat Olimpike të Los Angelesit në vitin 1984, tash e dy e dy muaj gjendet në spitalin e Prishtinës, e mjekët, sipas tij ende s’e kanë diagnostikuar.
I biri i Azizi Salihut ka publikuar edhe dy foto të babait, një kur ishte jashtë spitalit e tjetra, në spital, duke shtuar se ai sot transferohet në Turqi për shërim të mëtutjeshëm.
Ai ka shkruar në Facebook:
“Ka dy muaj i padiagnostikuar në spitalin infektiv në Prishtinë duke ju kërkuar gjithmonë një përgjigje mjekëve dhe duke iu lutur të na tregojnë se a janë në gjendje me shërua a jo apo ta dërgojmë diku jashtë, gjithmonë me fjalën mirë është ne e kemi në dorë… Dhe ja si duket Aziz Salihu…
Me shpresën për një mundësi të dytë për shërim sot transferohet në Turqi …
Me ndihmën e Zotit lutemi të shërohet sa më shpejt”.