Albert Veliu, i njohur si “dëshmitari X” në audiopërgjimin e Agron Xhafaj, për çështjet e drogës, prej disa ditësh ka aplikuar për azil politik në Kosovë. Veliu ka shprehur frikë për jetën e tij në Shqipëri, ndaj shpreson se në Kosovë do të jetë më i sigurtë.
Por për këtë çështje ka reaguar edhe MPB e Kosovës. Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për të pyetur nëse i është aprovuar kërkesa për azil, mirëpo ky dikaster nuk ka dhënë përgjigje konkrete në pyetjet e dërguara.
Sipas një përgjigje të përgjithësuar, MPB ka lënë të kuptohet se kërkesa e Veliut mund të marr kohë deri në gjashtë muaj.
“Në pajtim me legjislacionin në fuqi përkatësisht neni 49 i Ligjit për Azil procedura e azilit nuk është e hapur për publikun. Në parim procedura e azilit zgjat 6 muaj dhe të drejt për të kërkuar azil kanë secili shtetas i huaj apo person pa shtetësi. Pas paraqitjes së kërkesës për azil shtetasi i huaj apo personi pa shtetësi do të intervistohet në një kohë të arsyeshme me qëllim të përcaktimit të statusit të mbrojtjes”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
“Refugjatë” janë personat të cilët, në vendin e tyre të origjinës ose të vendbanimit të fundit, janë ekspozuar përndjekjeve serioze, ose kanë arsye të kenë frikë nga përndjekja për shkak të racës, të besimit fetar, të shtetësisë, të përkatësisë në një grup social të veçantë ose të bindjeve të tyre politike.
Faktori përcaktues për dhënien e statusit të refugjatit, sipas Ligjit për Azil (Ligji Nr. 04/L-217),) është përmbushja e kritereve për përcaktimin e statusit të refugjatit, sipas të cilave frika e bazuar nga përndjekja është një nga elementet kryesore.
“Që nga viti 2017 gjithsej kanë kërkuar azil 235 persona shumica e të cilëve vijnë nga Afganistani, Siria, Libia, Turqia etj., dhe prej tyre 6 persona kanë përfituar statusin e refugjatit dhe dy persona kanë përfituar statusin e mbrojtjes plotësuese. (shumica e azilkërkueseve janë larguar drejt shteteve të BE-se sepse Kosova ende nuk duket të jetë vend destinacioni (situatë e ngjashme në Ballkanin Perëndimorë) për të huajt”, thuhet me tej në përgjigjen e përgjithësuar në MPB-së.
Ndryshe “Dëshmitari X” është personi i cili në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë flet me Agron Xhafën për pazare droge.
Albert Veliu është arrestuar në fundjavë bashkë me te birin e tij Ledion derisa po qëndronin të strehuar diku në rajonin e Shtimes.
Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës dje kishin thënë se në kuadër të disa veprimeve policore dhe hetimore kanë mësuar se autoritetet shqiptare kanë në ndjekje një procedim penal në ngarkim të shtetasit Albert Veliu, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, procedim penal i regjistruar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
“Nga kryerja në vazhdimësi e këtyre veprimeve rezulton që shtetasi Albert Veliu ka kaluar kufirin shqiptar në mënyrë ilegale dhe ndodhet në Kosovë. Ky shtetas ka dalë ilegalisht për në Kosovë pasi nuk ka kaluar nga pikat e kalimit kufitar sepse ka pasur njoftim zyrtar që të mos largohej nga Shqipëria”, kanë thënë burimet e Indeksonline.
Sipas hetimeve policore, Alberti bashkë me të birin Ledio Veliu ishin munduar të kalojnë për në Belgjikë me dokumente të falsifikuara nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës apo kufirit tokësor kosovar për në një vend tjetër fqinj të Kosovës.
Po ashtu, burimet e Indeksonline të afërta me rastin kanë thënë se shtetasi Albert Veliu nuk mund të hyj në Bashkimin Evropian pasi ka ndalesë.
Ndryshe Alberti, 51-vjeç, i njohur edhe si “dëshmitari X”, në rrëfimin e tij të publikuar nga Partia e Lulzim Bashës (PD), kishte thënë se ka qenë në Itali, ku kishte punuar tërë jetën në det, ’93-’99, ndërsa në vitin 2000 thotë se ishte në Itali me grupin e Agron Xhafaj, deri në 2002 ku ka shitur kokainë.
Ai vijon të thotë se në 2005 i ndodhi aksident në punë dhe kreu një dënim prej 7 vjetësh, ku u kap me kokainë, 12 kg.
“U kapa në Pescara, bëra dënimin. Kurse nga Agroni ishte mbetje qejfi. Gjatë kësaj kohe që punonim bashkë, nuk më solli një copë letër si shok. Kur dola nga burgu vij në Shqipëri, e takoj, më ofroi gjoja një nder për punë për djalin, kamarier. Djali është 22 vjeç”, thotë ai. /Telegrafi/