Site icon Telegrafi

Azeski: Kompanitë janë në pozitë shumë të vështirë, pasiguria është vdekje për biznesin

Po hyjmë në pasiguri e cila është katastrofë për biznesin. Kompanitë janë në një pozitë shumë të vështirë për momentin, sepse paqartësitë e tilla janë vdekje për aktivitetet investuese dhe zhvillimin e tyre, konsideron kryetari i Odës Ekonomike dhe bashkëkryetar i Forumit Investues të Odës, Branko Azeski.

Këtë qëndrim ai e kumtoi në Forumin e Biznesit në Kopaonik, në kuadër të panelit të 10-të të titulluar “Bashkëpunimi rajonal si parakusht për rritje të qëndrueshme”.

Azeski theksoi se para bashkimit ekonomik rajonal, ka ende shumë pyetje dhe dilema pa përgjigje për të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë. Për të zbatuar konceptin “Ballkan i Hapur”, Azeski tha se është e nevojshme që secili ta pranojë si të vetin, e jo si të imponuar.

Furnizimi i përbashkët me gaz, i cili është qëllimi përfundimtar – nëse krijimi i një bashkimi doganor, nëse do të ndërtojmë politikë të përbashkët për investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe nëse dikush ndërhyn në atë rrugë si biznes, janë vetëm disa nga çështjet e hapura, të cilat sipas Azeskit, rëndojnë bashkimin ekonomik rajonal.

“Nëse zhvillimeve ekonomike në botë (pandemia që solli krizën ekonomike, financiare dhe energjetike) i shtohen edhe këto çështje të hapura, për të cilat ka ende nevojë për debate, bisedime, harmonizim qëndrimesh dhe politikash mes vendeve, si dhe zhvillimet e fundit në Ukrainë, rezultati i të cilave deri tani askush nuk e di përgjigjen), ne hyjmë në pasiguri katastrofale për biznesin. Kompanitë janë në një pozitë shumë të vështirë për momentin, sepse paqartësi të tilla janë vdekje për aktivitetet investive dhe zhvillimin e tyre”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

 

Exit mobile version