Telegrafi

Azerbajxhani publikon imazhe të bombardimit të një kamioni armen që barte municion

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka publikuar videon e momentit të shkatërrimit të kamionëve ushtarakë të ushtrisë armene, të cilët thuhet se ishin të ngarkuar me municion.

“Pasi forcat e armatosura të Azerbajxhanit shkatërruan depon e raketave dhe artilerisë së ushtrisë armene, e cila ndodhet në territoret e okupuara, disa ditë më parë, kishte një mungesë serioze municioni në njësitë e armikut”, thuhet në faqen e internetit të departamentit ushtarak azerbajxhanas.

Ministria tregon se për shkak të kësaj, “armiku po përpiqet të përdorë të gjitha municionet në dispozicion në pikat e nxehta të operacioneve luftarake”.

“Gjatë mbikëqyrjes ajrore të zonës më 31 tetor, u përcaktua vendndodhja e dy kamionëve me municion. Kamionët ushtarakë u shkatërruan menjëherë nga bombardimi i saktë,” njoftoi departamenti ushtarak i Azerbajxhanit.

Kujtojmë se luftimet në vijën e ndarjes së palëve ndërluftuese në Nagorni-Karabaku filluan më 27 shtator.

Baku dhe Jerevani akuzojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e konfliktit. Një gjendje lufte dhe mobilizimi i përgjithshëm është shpallur në Armeni. Një shtetrrethim dhe mobilizim i pjesshëm janë futur në Azerbajxhan. /Telegrafi/