Një gjykatë e Azerbajxhanit ka dënuar 13 anëtarë të forcave të armatosura të Armenisë me gjashtë vjet burg, duke i shpallur ata fajtorë për kalim të paligjshëm të kufirit, posedim armësh dhe vepra terroriste.
Armenia nuk bëri ndonjë reagim të menjëhershëm pas dënimit të ushtarëve, i cili u dha të enjten vonë, raporton aljazeera.
Azerbajxhani dhe Armenia bënë një luftë gjashtë javore vitin e kaluar në të cilën trupat azeriane dëbuan forcat etnike armene nga pjesë të mëdha të territorit që kishin kontrolluar prej kohësh në dhe rreth enklavës së Nagorni-Karabakut.
Megjithëse lufta përfundoi me një armëpushim, Azerbajxhani arrestoi më shumë se 60 anëtarë të ushtrisë armene në muajin dhjetor, duke i akuzuar ata për hyrje të paligjshme në territorin Azerbajxhan gjersa disa prej tyre u liruan më vonë.
Luftimet në Nagorni-Karabaku, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, përfunduan në një armëpushim, por përplasjet në kufi kanë vazhduar në intervale të parregullta këtë vit, duke qenë herë pas here fatale. /Telegrafi/