Telegrafi

Azemi zbulon arsyet e largimit nga Kosova, Dardan Berisha kapiteni i ri

Edmond Azemi ditë më parë ka bërë të ditur tërheqjen nga përfaqësuesja e Kosovës në basketboll.

Kapiteni prishtinas, i cili ishte i grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës, për ndeshjet parakualifikuese për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Kina 2019”, në një intervistë për Sportin në KTV, tregon vështirësitë që kishte për t’u larguar nga Kombëtarja e Kosovës.

Pas largimit të Edos nga Kosova, shiriti i kapitenit i është besuar Dardan Berishës.

36-vjeçari, edhe pse është larguar nga Kosova, thotë se gjithmonë është i gatshëm t’i ndihmojë këta të fundit me përvojën e tij.

“Ka qenë një vendim shumë i vështirë, arsyet janë private. Nuk mundem me tregu në detaje. Gjithmonë kam qene pjesë e Kosovës. Edhe trajneri amerikan ka pasur besim që mund të ndihmoj sikurse federata”, ka thënë Edo për KTV-në.

“Kam dëgjuar Dardani është kapitenin i ri. I uroj shumë suksese. Besoj që e meriton. E meriton me qenë kapiten. E kam një porosi për të që të mos bëhet nervoz shumë në lojë, pasi është pak temperament nuk e do humbjen”, deklaroi Edo.

Azemi ishte pjesë e Kosovës në debutimin në arenën ndërkombëtare në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian.

Azemi ndeshjen e fundit me fanellën e Kosovës e zhvilloi në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ndaj Bullgarisë në humbjen 67:62.