Site icon Telegrafi

Azemi: PSD dhe PDK më shkarkuan nga bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka reaguar pas shkarkimit të tij nga bordi i aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Azemi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se PSD dhe PDK po bëjnë pazare në dëm të qytetarëve të Prishtinës dhe se misioni i tyre është hajnia dhe klientela.

Postimi i plotë i Azemit:

“PDK e PSD, sot vendosën që të më shkarkojnë nga pozita e aksionarit të NPB-së.

Ju falënderoj sinqerisht; ky shkarkim më bënë të ndihem krenar. Të paktën njëherë e mirë u shpërfaq lidhja e interesave të ngushta kriminale. E kjo është edhe një dëshmi pse ky grup quhej i pakënaqur në Lëvizje. Ky grup doli nga Vetëvendosja! dhe shkoi te Kadria.

Dje Shpendi nuk pranoi të diskutonim për Ndërmarrjet Publike, sepse pazaret nuk i kishin kryer ende. Tha do të diskutojmë pas një muaji. Nuk kaluan 24 ore, plani ndryshoi për ta larguar Lëvizjen nga NPB-ja, e cila e ngjalli këtë Ndërmarrje për herë të parë që nga paslufta dhe e morri PDK-në, pra Blerandin dhe Kadrin.

Sot, fillimisht sallën e lëshuam kur këto dy subjekte votuan Komisionin për dhënie në shfrytëzim të pronave. Sapo dolëm ne, erdhi Shpendi. Gjithashtu e lëshuam sallën edhe kur u fut në rend të ditës diskutimi dhe votimi për aksionarët e NPB-së. Përsëri Shpendi erdhi dhe bëri pazare nëpër qoshet e sallës, e për këtë kam edhe videoincizim. Frikacak e rrenacak, por dinak.

Janë bërë bashkë për pazare në dëm te qytetit e qytetarëve, por asnjëherë nuk do ta fitojnë besimin e qytetarëve të Prishtinës. Andaj, zaptuesit e vjetër dhe të rinjë kanë një mision: hajni e klientel. Por, kot e kanë se burgu i pret. Një nga një!”, ka shkruar Azemi.

Lexo po ashtu Egzon Azemi i VV-së shkarkohet nga bordi i Ndërmarrjes Publike Banesore

Egzon Azemi është shkarkuar me 22 vota për, ndërsa me rastin e votimit të pranishëm në sallën e Asamblesë nuk ishin asamblistët e LDK-së dhe Vetëvendosjes./Teelgrafi/

Exit mobile version