Telegrafi

Azemi: Mijëra euro u paguan, por rrugët nuk u asfaltuan në Ferizaj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, ka hedhur kritika ndaj qeverisjes në këtë komunë.

Sipas tij, mijëra euro u paguan, por rrugët nuk u asfaltuan.

Ai përmedi projektin dyvjeçar në Mirash për asfaltimin e 8 rrugëve, disa rrugicave, ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe murit mbrojtës, kushtoi 80 mijë euro, për të cilin thotë se nuk u finalizua.

“Për rrugën “Te varrezat e Hashanve” sipas dokumentit të Situacionit, u paguan 13 mijë e 074 euro. Kurse, për asfaltimin e rrugicave “Te Raqt”, shuma e paguar është 11 mijë e 638 euro. Derisa në total flasim për mbi 24 mijë euro të paguara për asfaltimin e këtyre rrugëve, ato nuk u asfaltuan kurrë. Sot e kësaj dite ato janë në zhavorr”, tha Azemi.

Ai ka shtuar se ka bërë ftesë Prokurorisë që të nisë hetim të mirëfilltë.

“I bëmë thirrje të veprojë menjëherë. Sepse në mënyrë direkte preket e dëmtohet interesi e buxheti i qytetarit të Ferizajt”.

“Ne besojmë se një qeverisje e mirë nuk ka asgjë për të fshehur. Dhe është jashtëzakonisht e nevojshme që kryefjalë të punës së vet ta ketë llogaridhënien dhe transparencën. Prandaj ne po e kërkojmë këtë dhe ne do ta dëshmojmë këtë”, shkroi Azemi.