Telegrafi

Visar Azemi i LDK-së në Ferizaj publikon foto të gjendjes së shkollës fillore “Rizah Matoshi” – kërkon intervenim nga kryetari Aliu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Ferizaj, Visar Azemi, përmes disa fotografive ka treguar për gjendjen alarmante të shkollës fillore “Rizah Matoshi”, e vendosur në fshatin Nikadin të Ferizajit.

Përshkrimi i tij dhe imazhet e publikuara nxjerrin në pah realitetin e hidhur të kushteve të mësimdhënies në Kosovë.

“Fotografitë që po shihni nuk janë dëshmi të asaj që ka mbetur pas luftës, por janë të sotmes, të vitit 2024,” shkruan Azemi, duke theksuar se objekti, ku rreth 230 nxënës përpiqen të ndjekin mësimet, më shumë ngjan me një gërmadhë se sa me një institucion arsimor.

“Në këtë shkollë ndjekin mësimet rreth 230 nxënës dhe aty punojnë një staf që përbehet diku nga 20 persona. Po bëhet fjalë për afro 250 qytetarë të Ferizajit që janë të pasigurtë në një objekt të tillë ku e kalojnë një pjesë të mirë të ditës. Në çdo ditë mësimi, përveç një mjedisi të pashëndetshëm ku qëndrojnë me orë, ata i ekspozohen edhe rrezikut që vjen nga dëmtimi i mëtejmë i objektit. E mos të harrojmë se situata rëndohet veçmas në sezonën e dimrit”, shkroi Azemi.

Azemi thekson se çdo seancë mësimore në këtë ambjent jo vetëm që është e pakëndshme, por edhe rrezikshme, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit kur kushtet bëhen akoma më të vështira për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Në mësimin e historisë, ku flet për mbetjet e qyteteve antike, mjafton të shohësh gjendjen e shkollës për të kuptuar se çfarë do të thotë rrënim.”

Azemi kërkon nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, për një intervenim të menjëhershëm duke e bërë të qartë se nxënësit dhe stafi i shkollës “Rizah Matoshi” nuk mund të injorohen më të lënë në një mjerim të tillë.

“Çdo vonesë ju ngarkon edhe më shumë me përgjegjësi, kryetar!”./Telegafi/