Site icon Telegrafi

Azemi: Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit është pasqyra e përfshirjes së pushtetit në KEK

Anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi, në periudhën nga 15 tetori 2021 deri më 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, akuzohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.”

Azemi ka kritikuar faktin se edhe pas arrestimit të Krasniqit, ai u mbrojt nga zyrtarët më të lartë të pushtetit, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte Krasniqi, vazhdimisht e mbështeti atë.

Ai gjithashtu përmendi Martin Berishajn, të cilin e quajti “kryemafiozin e energjisë,” duke pretenduar se Krasniqi e takonte fshehtas.

Sipas Azemit, ky grup njerëzish në pushtet, të cilët bënin pazare me energjinë, kanë shkaktuar dëme milionëshe për Kosovën.

Tutje shtoi se KEK-u ishte kthyer në një çerdhe të krimit, me qindra kontrata njëburimore në vlerën e mbi 100 milionë eurove, të cilat përfitonin miqtë e pushtetarëve.

Aktakuza e sotme, sipas Azemit, është një pasqyrë e përfshirjes së pushtetit në KEK, duke theksuar se ky kontroll dhe ndikim është i dëmshëm dhe duhet të marrë fund.

Azemi shprehu shpresën se organet e drejtësisë do të arrijnë të zbardhin tërësisht krimin në KEK, pa u penguar nga ky pushtet që, sipas tij, synon kapjen e çdo institucioni.

Exit mobile version