Site icon Telegrafi

Azem Sylës i mohohet qëndrimi në Zvicër

Gjykata Administrative e kantonit të Soloturnit me një vendim që kishte marrë në muajin shkurt, i kishte marrë mbrapa Azem Sylës lejen e qëndrimit të përhershëm (C) në Zvicër, shkruan Express.

Këtë vendim gjykata në fjalë e kishte mbështetur me atë se Syla kishte shfrytëzuar ndihmën sociale dhe kompensimet, me gjithë faktin se ai ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Kosovës. Sipas llogarive të bëra nga organet kompetente del se Azem Syla gjatë afër dhjetë viteve ka marrë rreth 400 mijë franga nga shteti zviceran. Syla, sipas vendimit të fundit të Gjykatës Federale, duhet të lëshojë Zvicrën deri në mesin e muajit maj.

Gjykata Federale nuk e ka marrë fare në shqyrtim ankesën e Azem Sylës. Ata e kanë arsyetuar këtë me faktin se Syla që nga nëntori i vitit 2010 ka zyrtarizuar qëndrimin në Kosovë, në mënyrë që të mund të merrte pjesë në zgjedhjet e atjeshme parlamentare. Vetëm në periudhën nga 21 shkurti deri më 7 prill 2011, ai ka marrë pjesë në 6 seanca parlamentare dhe ka pasur paraqitje në televizion.

Veç kësaj, ai kishte dorëzuar banesën e tij në Zvicër dhe kishte gjetur strehim në banesën e të bijës. Në Kosovë, Syla ka një shtëpi të veten. Me këtë mund të vihet në përfundim se ai jo vetëm që është i integruar si është më së miri në Kosovë, por atje e ka të siguruar ekzistencën, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës. /Telegrafi/

Exit mobile version