Edhe pse përmes një komunikate për medie më 28 prill kishte dhënë dorëheqje nga posti i deputetit, Azem Syla ende figuron në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës, në listën e deputetëve.
KALLXO.com ka kontaktuar disa herë sekretarin e Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin, për të kuptuar se a ka dhënë dorëheqje zyrtarisht Azem Syla në Kuvend nga posti i tij dhe pse ende figuron në ueb faqe si deputet i Kuvendit të Kosovës, por Krasniqi nuk ka dashur të përgjigjet në këto pyetje duke thënë se “këto pyetje duhet t’i adresohen Grupit Parlamentar të PDK-së”.
Gjithashtu KLLXO.com, ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, se kur do të zëvendësohet Azem Syla dhe pse ende qëndron emri i tij në ueb faqe të Kuvendit, por as Grabovci nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet nëse Syla e ka dorëzuar zyrtarisht mandatin e tij si deputet.
“Nuk e di, për këtë duhet pyetur në Kuvendin e Kosovës, e unë nuk jam pjesë e Kuvendit, andaj nuk mundem me të dhënë përgjigje”, tha Krasniqi për KALLXO.com.
Sipas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, pasi një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët.
“Pasi që një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Një kërkesë e tillë duhet të përfshijë edhe sqarimin se pse u lirua kjo ulëse. Pas pranimit të kërkesës sipas paragrafit 3 të këtij neni, nëse sqarimi i dhënë është i mjaftueshëm, Presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë”, thuhet në ligj.
KALLXO.com ka kërkuar informacion edhe nga zyra e kryetarit të Kuvendit se a i ka bërë kryetari kërkesë Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Blerim Latifi, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës tha se nuk është në dijeni.
“Nuk jam në dijeni sepse unë nuk jam në këtë sektor”, tha ai.
Ndërkaq, me këshilltarin tjetër të Kryetarit të Kuvendit Driton Lajçi, KALLXO.com nuk ka mundur të kontaktojë gjatë ditës.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se nuk ka informacion dhe pasi të marrë informacione se a ka marrë Presidenti kërkesë të tillë nga kryetari i Kuvendit do të kthejë përgjigje.
KALLXO.com, ka kontaktuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të kuptuar se a ka kërkuar Presidenti nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë.
Zyra për informim e KQZ-së, në mesditë ka kthyer përgjigje se “deri në momentin që po flasim nuk ka ardhur ndonjë kërkesë e tillë”.
Nëse presidenti i dërgon kërkesën KQZ-së, sipas ligjit KQZ-ja duhet që në afatin prej pesë ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë Presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm.
Ndërkaq, Azem Syla, më 28 prill përmes një komunikate kishte lajmëruar dorëheqjen e tij, një ditë pasi ndaj tij, EULEX-i dhe Policia e Kosovës kishin filluar kërkimin dhe bastisjet.
Hetimet për Sylën kishin të bëjnë me dyshimet se ai është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.
Pasi që Syla që u kërkua nga policia e Kosovës dhe EULEX-i, dhe nuk ishe gjetur në shtëpi ishte dorëzuar në Vërmicë më 29 prill. Avokati i tij Tomë Gashi, e kishte konfirmuar se deputeti i kërkuar ndodhej në Shqipëri dhe se do të paraqitje në gjykatë gjatë asaj dite.
Ndërsa, më 30 prill, Sylës i ishte i është caktuar paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook e kishte përshëndetur dorëheqjen e Sylës ditën kur ky i fundit kishte njoftuar dorëzimin e mandatit.
Pasi t’i hiqet mandati, Azem Syla do të zvvendësohet në Kuvend nga Shukri Buja, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u dënua për shkak se nuk e kishte deklaruar pasurinë në mënyrë të rregullt gjatë kohës sa ishte kryetar i komunës së Lipjanit.
Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka ndjekur të gjithë operacionin e bastisjeve ndaj të dyshuarve që janë pjesë e grupit të tjetërsimit të tokave ku bën pjesë edhe Azem Syla.