Site icon Telegrafi

Alarmon AVONET: KQZ-ja po dështon në procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

Organizata AVONET ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke e akuzuar këtë institucion për dështim në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

Sipas AVONET-it, gjatë vëzhgimit të procesit të numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Ferizaj, pasditen e 13 shkurtit 2025 nga ora 14:00, vëzhguesit e saj kanë evidentuar probleme serioze në këtë proces.

Sipas raportimeve, numërimi i votave të kandidatëve është penguar për shkak të mosfunksionimit të softuerit të KQZ-së.

AVONET ka shprehur pakënaqësinë e saj të thellë ndaj menaxhimit të dobët të këtij procesi nga ana e KQZ-së, duke e cilësuar këtë situatë si të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për integritetin e zgjedhjeve.

Sipas organizatës, shkeljet e tilla të rregullave zgjedhore krijojnë një pasiguri të madhe dhe ndikojnë negativisht në procesin demokratik.

Për më tepër, AVONET thekson se vonesat e gjata po shkaktojnë amulli dhe pakënaqësi të përgjithshme, duke ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme procesin e numërimit të votave.

Në këtë kontekst, AVONET i bën thirrje KQZ-së që të ndërmarrë masa urgjente për të adresuar problemet softuerike dhe për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë, të ligjshëm dhe transparent.

Hetimet e Prokurorisë

Ish-zyrtarë të KQZ-së, kanë shprehur keqardhje për këto lëshime në proces, dhe kanë fajësuar udhëheqjen e institucionit për këtë situatë.

Sipas tyre, zyrtarët e rinj sikur e kanë pasur një tendencë që të eliminojnë çdo praktikë të mëparshme, pavarësisht se a ka funksionuar.

Disa kanë folur me tone kritike edhe për mungesën e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, nëpër deklarime para mediave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

Edhe ish-zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se njëmend është vështirë të manipulohet me vota, por e keqja e gjithë kësaj është humbja e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor./Telegrafi.

Exit mobile version