Telegrafi

Avokati i Trumpit është paguar nga firma e lidhur me oligarkun rus

Avokati personal i Presidentit Donald Trump mori një pagesë prej 500 mijë dollarësh nga një firmë që ka lidhje me një oligark rus.

Siç shkruan The New York Times, përcjell Telegrafi, dosjet financiare, kompania e krijuar nga Michael Cohen u pagua gjithashtu pas zgjedhjeve të vitit 2016 nga korporata që kërkonin miratim nga administrata për biznesin.

Avokati Cohen pagoi gjithashtu një aktore filmash për të rritur, që pretendon se pati një lidhje me Trumpin, në mënyrë që të mos tregonte.

Kompania e Cohen vitin e shkuar mori gjysmëmilioni dollarë nga një kompani investimesh me bazë në Nju Jork që ka lidhje me oligarkun rus, Viktor Vekselberg.

Megjithatë, pas publikimit të raportit në medie, kompania e investimeve tha se paratë për Cohen ishin pagesë për konsulta dhe nuk kishin asnjë lidhje me miliarderin rus.

Dokumentet e publikuara nga The New York Times, tregojnë se Cohen mori edhe 200 mijë dollarë nga kompania AT&T, kur kjo e fundit kërkonte miratimin e Trumpit për të blerë Time Warner. AT&T thotë se pagesa u bë për të pasur më shumë informacione për politikat e qeverisë së re dhe jo për përfitime të padrejta.

Muajin e shkuar, FBI-ja mori shumë dokumente nga zyra e Cohen, pas kërkesës së prokurorit special Robert Mueller, i cili po heton përfshirjen ruse në zgjedhje. /Telegrafi/